Po të pyeteshin të rinjtë

Një qytet, një territor, dy popuj. Të rritur të ndarë dhe të mësuar nga shteti që ajo pala tjetër është gjithmonë ajo e keqja. Stereotipet, paragjykimet dhe frika qysh nga lufta i mbajnë dy kombe të ndara në Kosovë. Shqiptarët dhe serbët, të atyre dhe tanët.

0
1116

Një qytet, një territor, dy popuj. Të rritur të ndarë dhe të mësuar nga shteti që ajo pala tjetër është gjithmonë ajo e keqja. Stereotipet, paragjykimet dhe frika qysh nga lufta i mbajnë dy kombe të ndara në Kosovë. Shqiptarët dhe serbët, të atyre dhe tanët.

Janë momente krejtësisht të çuditshme kur pas tërë atyre viteve të tëhuajësimit ke rastin që dhjetë ditë të jetosh me të rinjtë e “asaj anës tjetër”. E ndryshon mendimin, ndryshon jeta. Zhduken kufjtë, zhduket frika. Mbeten vetëm njerëzit e mirë, pa marrë parasysh se nga cila palë.

Kampi Rinor i Paqes (Youth Peace Camp) këtë vit u mbajt prej 9-18 korrik në Strazbur, nën oganizim të Këshillit të Evropës. Ky kamp mblodhi më tepër se pesëdhjetë të rinj nga zona konfliktuoze midis të cilëve u gjetën edhe të rinjtë nga hapësirat e Serbisë dhe Kosovës. Ne nëntë veta nga Prishtina, Peja, Deçani, Krushevci, Leposaviqi dhe nga të dy Mitrovicat erdhëm me identitete sociale të krijuara në mënyrë artificiale, të imponuara nga persona që gjenden diku mbi ne dhe me të vërtetë nuk mërziten fare se çka po ndodh me jetët e njëzetvjeçarëve në hapësirën ku lufta i shkatërroi të gjitha duke filluar nga miqësitë, dashuritë, martesat dhe fëmijërinë normale. Ne të nëntët jemi rritur me frikën nga njëri-tjetri, duke mos ditur se çka ka në atë anën tjetër dhe çfarë janë fëmijët “atje tej diku”.

Ky kamp erdhi si diçka e re dhe e papritur. Erdhi në momentin e duhur kur ende nuk jemi persona plotësisht të rritur dhe kemi hapësirë të ndryshojmë por edhe t’i ndryshojmë njerëzit përreth vetes. E filluam me paragjykime, me pritje të gabuara. Debatet rreth asaj se a është Mitrovica apo Mitrovica e Kosovës, çka është Serbia e çka Kosova dinin në fillim të jenë tejet të bujshme dhe nuk shpienin askund. E tërë kjo zgjati derisa nuk filluam të shohim njëri-tjetrin ashtu siç është dashur gjithmonë ta shohim, si njerëz të zakonshëm.

Na ndanin vitet që ishin pas nesh e na bashkonin gjërat që ishin nga ato më njerëzoret. Emocionet dhe rrëfimet. Secili e kishte rrëfimin e vet dhe ishte i hapur të dëgjonte se çka ka ndodhur nga ana tjetër. E vërteta nga anë të ndryshme, por kemi përjetuar të njëjtën. Kishte të bënte me të njëjtat rrëfime dhe përjetime. Duke filluar nga rrëfimet e mëdha jetësore e deri tek cikërrimat dhe interesimet e njëjta, nëntë njëzetvjeçarë deri atëherë të ndarë filluan të funksionojnë së bashku, si ekip. Të lumtur dhe pa brenga, duke bërë shaka në llogari të vetvetes, ne ishim ata që me të vërtetë jemi, çka gjithmonë është dashur të jemi, njerëz dhe miq. Në fund, ky ekip ia doli që të ndërtojë një plan për bashkëpunim të ardhshëm, të cilit i gëzohem me sinqeritet.

Ndoshta bëni pyetje se përse po e tregoj këtë rrëfim dhe pse është aq i rëndësishëm? Unë po ju pyes Juve, a e keni ju ndonjë mik nga ajo ana tjetër? Shqiptar apo serb, nuk është me rëndësi. Nëse jeni pak më në moshë, a keni pasur ndonjëherë? Unë me njëzet e tri vitet e mia vetëm tani pata rastin që të shoqërohem me njerëzit për të cilët thonë që jemi në konflikt. Më duhet të pranoj, kjo më bën tejet të lumtur. Kam pasur rast që nga prindërit e mi të dëgjoj rrëfimet për shoqërimin me shqiptarët dhe për atë se si ka qenë më parë jeta në këto hapësira. Gjenerata jonë këtë nuk e ka ndierë kurrë. Dhe të rralla janë rastet siç ishte ky të cilin e pata unë, që të ikni nga të gjithë kufijtë dhe paragjykimet dhe të zini miq të vërtetë nga ana tjetër.

Për këtë arsye konsideroj që këto rrëfime janë të rëndësishme. Shembujt pozitiv janë edukimi më i mirë. Jetën e kemi përpara, nuk kemi as hapësirë e as kohë që të mendojmë se çka ka ndodhur në të kaluarën dhe që të lëmë pushtetin që çdo ditë të manipulojë me jetët tona dhe që të na caktojë armiqtë duke u bazuar në kufij dhe përkatësi nacionale. Neve na mbetet që të mendojmë me kokën tonë dhe t’i lejojmë vetes të mendojmë për një pasqyrë më të gjerë, atëherë, pa kurrfarë paragjykimi, vetëm njerëzit do të jenë të rëndësishëm për ne.

Në fund të fundit, të imagjinojmë si do të ishte jeta në këto hapësira po që se dikush vërtetë do të ta pyeste ne të rinjve se çka mendojmë ne. Një gjë është e sigurt, nuk do të jetonim në frikë dhe urrejtje. Nëse asgjë tjetër, atëherë sigurisht do të ishim të lirë që të jemi miq dhe të ndajmë jetën pa paragjykime. Kështu po ndihem unë tani dhe sinqerisht po i gëzohem faktit që do të kem rastin që të vizitojë Prishtinën. Këtë ndjenjë ua dëshiroj të gjithëve që lexojnë këtë tekst, besuat apo jo, është e shkëlqyeshme!