Pyetje mbi të gjitha pyetjet

Pyetje mbi të gjitha pyetjet është gjithsesi se në çfarë gjendje janë spitalet tona? Po ashtu të gjithë po pyesin se si është situata e institucioneve shëndetësore në veri të Kosovës, nëse merret parasysh fakti që Serbia në një mënyrë a tjetër i ndihmon institucionet e atjeshme?

0
718

Nuk kam mundur që përmes këtij teksti të mos merrem me ato që po ndodhin momentalisht, dhe atë si në botë ashtu edhe në regjion, e në lidhje me pandeminë momentale e cila po e kërcënon tërë botën. Natyrisht, e keni të qartë se bëhet fjalë për virusin Korona apo siç është i njohur kudo në botë si KOVID19.

Natyrisht, ashtu edhe siç ishte pritur, virusi i përmendur erdhi edhe tek ne nëpër “dyer të vogla”. Pas gabimit që bëri Italia dhe për shkak të të cilit edhe tani po i vuan pasojat, e për shkak të mendjelehtësisë dhe vetëbesimit të tyre, brenda një kohe tejet të shkurtër Kovid19 trokiti edhe në “dyert tona”.

Në ditën e shkrimit të këtij teksti, në territorin e Kosovës kanë qenë 24 qytetarë të infektuar me virusin Korona kurse një person nga Podujeva ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare nga pasojat e virusit; supozohet se atë e ka infektuar pikërisht djali i tij i cili erdhi nga jashtë. 

Ky është një fakt i tmerrshëm për arsye se në 24 qytetarë të infektuar tashmë kemi një qytetarë që ka ndërruar jetë, e kushedi edhe sa do të ketë të infektuar në periudhën vijuese, kurse , natyrisht, ekziston një drojë edhe më e madhe për një përfundim fatal. Pyetje mbi të gjitha pyetjet është gjithsesi se në çfarë gjendje janë spitalet tona? Po ashtu të gjithë po pyesin se si është situata e institucioneve shëndetësore në veri të Kosovës, nëse merret parasysh fakti që Serbia në një mënyrë a tjetër i ndihmon institucionet e atjeshme? Unë personalisht pyes veten a do t’iu ndihmojnë kolegët serbë kolegëve shqiptarë në këtë situatë krize dhe a do të kurohen si duhet pacientët serbë njëjtë sikur pacientët kosovarë në pjesën tjetër të Kosovës. Nuk është mirë që në këtë moment të vështirë për tërë rajonin, por natyrisht edhe botën, të mbajmë inat me njëri-tjetrin ose, mos dhashtë Zoti, të mos ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë moment të vështirë nëse ka mundësi që ne të gjithë së bashku të dalim nga kjo situatë e rëndë. 

Sa i përket numrit të viktimave dhe numrit të të sëmurëve në territorin e Serbisë dhe Kosovës, pyes veten nëse përfaqësuesit e Serbisë do t’i numërojnë të infektuarit dhe të vdekurit edhe nga territori i Kosovës apo në këtë moment ata megjithatë do të heqin dorë “për një kohë  të shkurtër” nga Kosova, që të mos ua prishin të dhënat statistikore?

Është një karikaturë e mirë të cilën e pashë në rrjetet sociale e në të cilën në anën e djathtë paraqitet i vizatuar një virus i tërbuar kurse në anën tjetër janë njerëz të të gjitha racave dhe besimeve, të cilët në frikë janë të përqafuar dhe druhen së bashku për jetën e tyre. Do të thotë, prapëseprapë të gjithë së bashku mund të mos zihemi kur kemi një problem të përbashkët. Nëse raca e verdhë e besimit budist e ndihmon racën e bardhë të besimit ortodoks me mallra medicinale, a do t’i ndihmojë atëherë ajo racë e bardhë e besimit ortodoks fqinjëve të tyre që janë me besim musliman apo katolik në këto momente të vështira?

Unë personalisht besoj se se do të gjendet bile një fije ndershmërie dhe mirësie që të gjithë ne të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të jemi aty për njëri-tjetrin, por për këtë është e nevojshme të përpiqemi të injorojmë periudhën e mëparshme. E di që kjo është shumë e vështirë, por duhet të përpiqemi ta lëmë mënjanë, për një moment, dhe të përqendrohemi në një problem të përbashkët për të gjithë, përndryshe problemet dhe mosmarrëveshjet tona aktuale do të jenë imtësi në raport me këtë problem që po na përgatitet.

Deri atëherë, neve, qytetarëve të rëndomtë, na mbetet të qëndrojmë në shtëpitë tona, të lajmë duart, të mbajmë maskat dhe dorëza dhe që të gjithë të jemi të përgjegjshëm ndaj shoqërisë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të tregojmë që duam t’ia dimë si për veten tonë ashtu edhe për njerëzit tjerë të kësaj bote.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.