Rikthimi i intimiteteve kombëtare

Natyrisht që për viktimat duhet të flitet, por mënyra se si flitet ka tepër shumë rëndësi. Në emër të kurrfarë viktime s’i lejohet askujt të shkel mbi dinjitetin e tjetrit, e t’i marrë të drejtat dhe liritë e tij. Edhe nëse tjetri rrudhet aq sa konceptohet si një komb, edhe nëse tjetri shihet si fajtori për të këqijat e përjetuara prej teje.

0
587

Vriteni një serb, ne do t’i vrasim njëqind mysliman!” – thoshte Vučić-i në vitin 1995. Pjesa e parë e kësaj fjalie të famshme (viktimat serbe të luftës) është më domethënëse se pjesa e dytë (kërcënimi i hapur). Pjesa e dytë shpreh veç zotim për demonstrim force, ndërsa e para shpreh ligjërimin mbi të cilin shtrihej ai zotim për demonstrim force. Pra, mbështetu mbi viktima e kryej mizori.

Të vrarët, të pagjeturit, të plagosurit, të persekutuarit, të burgosurit, të dhunuarit seksualë, të keqtrajtuarit etj. janë viktima. Por, jo thjesht viktima. Janë edhe elemente tepër të rëndësishme pushteti. 

Serbia nuk kreu agresion pas agresioni gjatë luftërave të asaj kohe pa u mbështetur në kurrfarë ligjërimi – ky është mendim që çon direkt e në racizëm. Në fakt, edhe populli serb përjetoi shumë vuajtje gjatë luftërave në Ballkan, por kjo vuajtje e krejt viktimave të këtij kombi u bë motori që formësoi ligjërimin viktimizues, e i cili çoi pastaj në mizoritë tmerruese që i dimë.

“Çka të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë?” – deklaroi para disa javësh ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Dačić, tani kryekuvendar, në një televizion serb. Çka mund të nxjerrim prej kësaj? Në rend të parë kemi praninë e kudodukshme të një intimiteti brendakombëtar që kriminalizon gjithçka që cenon në ndonjë mënyrë kombin, qoftë bile edhe viktimat. Por në rend të dytë, në atë rend ku shtrihet ky lloj intimiteti, kemi përsëri një përdorim të nënkuptueshëm të viktimave serbe.

Serbia nuk i kërkon falje Kosovës as sot – e nga intimiteti i mësipërm duket se nuk do t’i kërkojë kurrë – sepse vazhdon t’i shohë krimet e saj mizore thjesht si veprime të justifikueshme që u derivuan nga dhimbjet e serbëve. Për ta, viktimat serbe kanë funksion shenjtorësh. Një serb i vrarë vazhdon të vlejë sa njëqind joserbë të gjallë.

Por, a u dëshmuan shqiptarët e Kosovës më të ndryshëm?

Në një shkrim të mëhershëm, para më shumë se dy vitesh, pata paralajmëruar për një situatë të tillë.

Daut Haradinaj haptas i kërcënoi krejt serbët e Kosovës para dy vitesh kur iu burgos vëllai në Francë. E në muajt e fundit, ligjërimi ynë viktimizues u bë gati i njësojtë me atë serb dhe në emër të vuajtjeve të viktimave “tona”, përdhosi vuajtjet e viktimave “tjera”. Askush nuk po del kundër. Bile, ka një garë se cili e ka më seriozisht në këtë drejtim.

Ramush Haradinaj akuzoi Rexhep Selimin e VV-së se kishte kënduar (d.m.th. kishte folur për ndonjë krim të mundshëm kundër bashkëluftëtarëve të tij) në Hagë. Më pas, me të njëjtin term edhe Albin Kurti e akuzoi Hashim Thaçin. Dhe tash, të gjithë të nënshtruar ndaj një tjetër intimiteti kombëtar që, parë matanë kontekstit aktual politik, kriminalizon heshturazi viktimat e luftës që ishin në anën e gabuar. 

Natyrisht që për viktimat duhet të flitet, por mënyra se si flitet ka tepër shumë rëndësi. Në emër të kurrfarë viktime s’i lejohet askujt të shkel mbi dinjitetin e tjetrit, e t’i marrë të drejtat dhe liritë e tij. Edhe nëse tjetri rrudhet aq sa konceptohet si një komb, edhe nëse tjetri shihet si fajtori për të këqijat e përjetuara prej teje.

Driton Selmanaj, zv.kryeministër në Qeverinë Hoti, në një emision televiziv tha se ishte lodhur nga qasja që viktimat e luftës i përdorte për përfitime politike. Pa u lodhur ta dëgjonin se çka tha Selmanaj në të vërtetë, i madh e i vogël, gati nga çdo parti iu vërsulën atij duke i bërë linçim publik. Selmanaj ndoshta pa e ditur e kishte shprehur idenë më radikale që mund të shprehej në këto vende të qeverisura nga pushtetet që shtrihen mbi dhimbje njerëzish: të mos përdoreshin këto dhimbje njerëzish.

Natyrisht, sfera publike është e terrorizuar në tërësi në Kosovë pikërisht sepse nuk ka vend për arsyen. Ajo mundet sa herë që është e nevojshme me ndjesitë e forta të dhimbjeve të viktimave. Sa herë që ke të drejtë, pushtetet marrin viktimat që iu dhanë pushtetin dhe të mposhtin me to. 

Prandaj, liria nuk ka kurrfarë emri nëse nuk fillon me çlirimin e viktimave nga përdorimi i vazhdueshëm që iu bën politika. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës