Roli i Kishës Ortodokse sot tek serbët në jug të Kosovës

Një prej politikanëve serb të Kosovës kohë më parë tha se “serbët në enklava qëndruan në Jug kryesisht falë kishës”. New Perspektiva përpiqet të mësojë cili është vërtetë ndikimi i Kishës Ortodokse tek serbët e jugut.

0
252

Graçanica është një komunë në jug të Kosovës e populluar me një shumicë serbe ku ka tolerancë etnike e përpjekje për bashkëjetesë mes shqiptarëve e serbëve.  Në qendër të saj është një ndër objektet e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, Manastiri i Graçanicës, i rindërtuar mbi gërmadhat e një kishe të shek. XIV.

Dyert e këtij manastiri janë të hapura për besimtarët ortodoksë si dhe turistët që e vizitojnë. Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajković, në një intervistë për New Perspektiv-ën kohë më parë, pati thënë që “serbët në enklava qëndruan në Jug kryesisht falë kishës”.

Për një lloj ndikimi më të theksuar të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Jug flasin edhe në Dioqezën e Rashkës dhe Prizrenit. Sekretari i kësaj Dioqeze, Miloš Perić, thotë që kjo ka ardhur në fund të viteve të 90-ta.

“Sipas të gjithë treguesve, KOS ka ndikim të barabartë si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër. Ka mundësi që për shkak të situatës specifike dhe izolimit të popullit tonë në jug të Ibrit, populli të ketë qenë më i drejtuar kah Kisha në periudhën prej vitit 1999 e deri më sot. Kjo është veçanërisht e dukshme në punën humanitare të Kishës sonë, sepse të gjashtë kuzhinat popullore të Kishës sonë janë në jug të lumit Ibër, sepse pozita e popullit tonë është më e ndërlikuar dhe më e vështirë atje”, ka thënë Perić duke theksuar se megjithatë nuk i ndajnë besimtarët nga zonat gjeografike.

“Ne nuk i ndajmë besimtarët tanë në ata që jetojnë në veri apo jug, por u shërbejmë të gjithëve në mënyrë të barabartë, duke u treguar atyre solidaritetin dhe një jetë të qetë me fqinjët e tyre. Sigurisht, KOS është një institucion në të cilin njerëzit tanë në mbarë Kosovën, por edhe kudo në botë, kanë besim të jashtëzakonshëm dhe janë thellësisht të lidhur me traditën shpirtërore që ruan Kisha. Sipas shumë sondazheve shihet se populli ka besimin më të madh te Kisha, pikërisht për rolin e saj historik në ruajtjen e spiritualitetit, identitetit kombëtar, kulturës dhe gjuhës sonë”, shprehet tutje Perić.

Mirëpo, drejtori i radio stacionit KIM në Graçanicë, Isak Vorgučić, nuk sheh ndikim aq të madh të Kishës Ortodokse tek mënyra e veprimit të individit në Jug. “Unë jetoj në jug. As unë dhe asnjë nga fqinjët e mi nuk qëndruam këtu sepse kisha na tha të qëndronim dhe ne nuk do të shkojmë edhe nëse na thonë të shkojmë“, thotë Vorgučić.

Sipas tij, Kisha ka të njëjtat marrëdhënie me besimtarët e saj në jug dhe veri të Kosovës. “Roli i saj në Kosovë është kryesisht humanitar, duke kanalizuar donacione për njerëzit në fshatrat e largëta dhe ndonjëherë duke ndihmuar në krijimin e më shumë vendeve të punës. Në këtë mënyrë, ndikimi i saj është i lartë te qytetarët. Sa i përket liderëve të zgjedhur serbë në Kosovë, nuk shoh ndikim të veçantë të kishës, apo anasjelltas. Këto gjithmonë veprojnë si të ndara”, ka shtuar Vorgučić.

Kurse Petar Đorđević nga Organiza Joqeveritare “Young Active Gracanica” thotë që qytetarë në Graçanicë nuk e lidhin besimin me praktikimin fetar por megjithëkëtë i besojnë Kishës Ortodokse Serbe më shumë se çdo institucioni tjetër në Kosovë apo Serbi.

“Në shumicën e vendeve ku KOS është prezente dhe funksionale ka më shumë serbë që jetojnë dhe punojnë dhe ka më pak migrim. Shembull për këtë është Graçanica, ku Manastiri i Graçanicës u jep shumë shpresë qytetarëve për një të ardhme më të mirë. Edhe pse shumica e qytetarëve nuk janë shumë fetarë (për sa i përket parimeve të kishës, agjërimit dhe frekuentimit të rregullt të liturgjive), hulumtimet tregojnë se shumica e banorëve e respektojnë dhe i besojnë KOS më shumë se çdo institucioni tjetër kosovar apo serb”, ka thënë Đorđević.