Serbët në ciklin e ri zgjedhor

Jemi dëshmitarë në këtë moment të disa koalicioneve parazgjedhore të çuditshme (apo ndoshta edhe jo) në pjesën shqiptare të skenës politike të Kosovës… Situata është plotësisht e kundërt me subjektet politike serbe në Kosovë.

0
1206

Lufta për vende në parlamentin e Kosovës është në zhvillim e sipër dhe atë me të madhe. Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 11 qershor 2017. Në lojë janë 120 vende për deputetë, prej të cilëve 10 janë të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa 10 të tjera për pjesëtarët e komuniteteve tjera pakicë. Fakt ky ndoshta edhe më i rëndësishmi në këtë moment. 

Jemi dëshmitarë në këtë moment të disa koalicioneve parazgjedhore të çuditshme (apo ndoshta edhe jo) në pjesën shqiptare të skenës politike të Kosovës. Në fakt, Ramush Haradinaj dhe AAK-ja e tij hynë në koalicionin parazgjedhor me PDK-në. Do të rikujtoj se pikërisht Ramush Haradinaj dhe AAK-ja ishin një nga kritikët dhe kunduershtarët më të mëdhenj të qeverisë së gjertanishme dhe organizatorët kryesorë të demonstratave (shpeshherë edhe të dhunshme) kundër po asaj. Një nga kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjeve të cilat i ka bërë qeveria me Serbinë dhe Malin e Zi, që në fund të fundit edhe solli deri tek rënia e qeverisë dhe zgjedhjet që do të pasojnë. 

As LDK-ja nuk ka qëndruar duarkryq dhe ka hyrë në marrëveshje për koalicion parazgjedhor me Behgjet Pacollin dhe partinë e tij. Vetëm Vetëvendosja mbeti jashtë çfarëdo koalicioni parazgjedhor. Pra, është i qartë konsolidimi i skenës politike shqiptare në Kosovë para këtyre zgjedhjeve. 

Situata është plotësisht e kundërt me subjektet politike serbe në Kosovë. Në të vërtetë, në zgjedhjet e kaluara parlamentare serbët dolën në zgjedhje me listë të përbashkët serbe. Qartë, të mbështetur dhe të kontrolluar plotësisht nga ana e Beogradit. Gjatë kohës së mandatit të saj, kjo listë tregoi se sa në fakt ishte e përçarë dhe artificialisht e tubuar. U radhitën problemet dhe përçarjet brenda listës dhe unë personalisht konsideroj që kjo listë nuk solli rezultatet të cilat i ka pritur komuniteti serb. Si pasojë e kësaj, në këto zgjedhje komuniteti serb del madje në gjashtë „kolona“. A do t’u sjellë kjo ndonjë rezultat njerëzve që do të votojnë për ta? Sigurisht se jo. Megjithë dobësitë që tregoi Lista e bashkuar serbe, pjesëmarrja në zgjedhje me gjashtë lista të ndryshme mund dhe ka sjellë vetëm deri tek një ndasi edhe më e madhe dhe më vonë probleme potencialisht të mëdha në mbrojtjen e interesave të komunitetit serb në parlament.   

Siç dihet, për disa gjëra tejet të rëndësishme që tashmë ndodhen në agjendën politike të Kosovës, e të cilat edhe nuk janë aq në interes të serbëve, është e nevojshme një shumicë prej dy të tretave të deputetëve shqiptarë si dhe shumica prej dy të tretave të të gjithë deputetëve të komuniteteve pakicë. Pra, pa një numër të caktuar të deputetëve serbë nuk është e mundur të merren vendime të tilla. Në qoftë se deputetët serbë hynë në parlament ashtu të ndarë, do t’i nënshtrohen shumë më lehtë tregtisë politike, e me vetë këtë edhe vendimet që nuk janë në interes të komunitetit serb do të jenë më lehtë të realizueshme.   

Sido që të jetë, këto zgjedhje nuk do t’i sjellin asgjë të mirë komunitetit serb, kurse pasojat negative tashmë kemi rastin t’i shohim në përçarjen dhe mostolerancën  edhe më të madhe midis subjekteve politike serbe e me këtë edhe midis vetë qytetarëve.