Shënimi i muajit

0
175

Aktiviteti i shtuar diplomatik i kohëve të fundit – në veçanti pas krizës në veri në dhjetor të vitit që lamë pas – duket se po fillon të japë rezultate. Më 27 shkurt, në Bruksel u zhvillua një takim i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, në të cilin palët u pajtuan që “nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme” rreth propozimit të BE-së/planit franko-gjerman me titullin “Marrëveshja mbi rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, që u bë publik tash, pesë muaj pasi iu paraqit palëve për herë të parë në shtator të vitit të kaluar.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e cilësoi takimin si një zhvillim të rëndësishëm “sepse që nga vera e kaluar kemi qenë të angazhuar në menaxhim krizash” ndërsa tani “po kërkojmë një zgjidhje të strukturuar për normalizimin.”  Palët, tha Borrell, kanë shprehur gadishmërinë e tyre që të procedojnë me implementimin e marrëveshjes, por “nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të implementimit të dispozitave.” Në funksion të kësaj është caktuar një takim tjetër për 18 mars, në Ohër, të Maqedonisë, në të cilin synohet finalizimi i  diskutimeve mbi aneksin e implementimit – i cili do t’i prijë fazës së implementimit të Marrëveshjes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se takimi ishte pozitiv, konstruktiv dhe “konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm” dhe shprehu besimin se “jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fqinjësi të mirë evropiane”. Kurti shtoi se kishte shprehur gatishmërinë ta nënshkruante marrëveshjen por se pala tjetër nuk ishte e gatshme ta bënte këtë. “Është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam,” tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, e quajti takimin “të vështirë si zakonisht”, dhe tha se beson që do të ketë edhe shumë të takime të tjera  në periudhën në vazhdim. “Mund të nënshkruani apo të mos nënshkruani diçka por nëse nuk ekziston një plan i duhur implementimi, atëherë do të ndodhë e njëjta gjë siç ka ndodhur me Marrëveshjen e Brukselit për dhjetë vjet, mosplotësimi i të vetmit obligim që pala kosovare kishte e ky ishte themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe,” tha ai. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësuan takimin si “hap i mirë përpara”, por thanë se mbetej për t’u bërë punë e vështirë. ”Marrëveshja mbi aneksin e implementimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së,” thuhet në një deklaratë për shtyp të Departamentit amerikan të Shtetit, në të cilën nënvizohet se “progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës si vend sovran, multietnik, i pavarur i integruar në strukturat evro-atlantike.”

Në një konferencë për media, Borrell i BE-së tha se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, do të vazhdojë me diplomacinë e tij fluturuese dhe shprehu sigurinë se “para takimit të ardhshëm të  Këshillit Evropian [23 – 24 mars 2023], mund të finalizojmë plotësisht punën”.

Sipas njoftimeve, BE pret nga palët që të nënshkruajnë Marrëveshjen mbi rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë bashkë me aneksin e implementimit, si dokumente të pandara