Takimi i 4 shtatorit: Lëndimi i mëtejmë i procesit të dialogut

Askush nuk e di se çka do të prodhojnë diskutimet e Uashingtonit. Askush nuk e di se çka të pritet nga një takim i tillë. Serbia ngulmon që për njohjen nuk do të flitet. Disa analistë – marrë në konsideratë marrëveshjet e mëparshme ekonomike – thonë që e njëjta gjë pritet të ndodh sërish.

0
525

Më 4 shtator pritet të mbahet takimi i parë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, ku ndërmjetës do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë të gjithë janë kundër një dialogu teknik, përfshirë kryeministrin, partitë e tjera qeveritare dhe natyrisht edhe partitë opozitare. Askush nuk e do një dialog tjetër ku do të arriheshin marrëveshje të ndryshme që nuk do preknin temën më kryesore: njohjen nga Serbia.

Jo më larg se para pesë ose gjashtë vitesh, të gjitha forcat politike në vend ishin shpërfillëse ndaj kësaj nevoje për njohje nga Serbia. Madje, disa edhe e protestonin mundësinë që të diskutohej për një çështje të tillë. Por tash, siç ndodh zakonisht në politikën kosovare, qëndrimet e partive janë përmbysur në të kundërtën e tyre të plotë.

Ndërkohë, askush nuk e di se çka do të prodhojnë diskutimet e Washingtonit. Askush nuk e di se çka të pritet nga një takim i tillë. Serbia ngulmon që për njohjen nuk do të flitet. Disa analistë – marrë në konsideratë marrëveshjet e mëparshme ekonomike – thonë që e njëjta gjë pritet të ndodh sërish. Albin Kurti e quajti “cowboy financiar” të dërguarin e posaçëm për dialogun, Richard Grenellin. Hashim Thaçi, si gjithnjë, nuk ka asgjë për të thënë. E kështu me radhë.

Duket vështirë e besueshme që diçka e rëndësishme të prodhohet për një ditë, ose disa ditë, nëse marrim për bazë dialogun disavjeçar të BE-së dhe mosefektshmërinë e tij. Për më tepër, edhe debatet e panumërta politike në të dyja vendet që thellonin ndasitë dhe rrisnin mospajtimet.

Natyrisht, Kosova dhe Serbia nuk janë në qendër të botës e për më tepër nuk kanë as ndonjë fuqi të madhe e të rëndësishme për Evropën. Përfshirja e Amerikës në këtë proces, aktualisht, është e qartë se ka motive elektorale për t’i dhënë një shtysë tjetër presidentit Trump që kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Por, a ka pasur progres në normalizim gjatë këtyre viteve?

Jo. Situata është përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme. Serbia është më e fortë se kurrë brenda Kosovës ndërkohë që qëndrimet e saj janë edhe më armiqësore. Ajo ka pamundësuar zgjedhjet e lira e demokratike në Kosovë për komunitetin serb në të mirë të forcimit të Listës Serbe. Po ashtu, fushata për tërheqje të njohjeve deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare rezultoi tepër efektive. Kosova ndërkohë është më e polarizuar politikisht se asnjëherë tjetër. Marrëveshja, parë logjikshëm, nuk dukej asnjëherë më larg se tash. E megjithatë, bash tash është më e përmendur se asnjëherë tjetër.

Është e vërtetë se Kosova dhe Serbia mund të relaksojnë marrëdhëniet e tyre përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes tyre. Kjo ishte edhe qasja e Richard Grenellit që në mënyrë të vrazhdë shpërfilli problemet e deritashme politike. Megjithatë, për një relaksim të tamamtë duhen veprime të qarta e konkrete për forcim të këtij bashkëpunimi. Dhe ky relaksim nuk do të duhej të merrej si një arritje e madhe politike por thjesht si një shtrim i rrugës drejt arritjes së madhe politike që do të çonte në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Sidoqoftë, unë nuk besoj që takimi në Uashington është një përpjekje drejt qëllimit për shtrimin e rrugës për arritjen e marrëveshjes në vitet që vijnë. Dhe duke mos qenë i tillë, ai do të përbëj një lëndim shtesë të këtij procesi. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.