Të gjitha pyetjet pa përgjigje 

Në fund, kur i përmbledhim të gjitha dhe përpiqemi të paraqesim përshtypjen e përgjithshme për vitin 2019, nuk ka shumë për të thënë. Ky vit solli shumë ngjarje që mbetën të pashpjeguara, aq sa vështirë që mund të gjitha edhe të numërohen. Kanë mbetur shumë pyetje pa përgjigje, të pazgjidhura dhe të pashpjeguara. Ky vit mbeti një pikëpyetje për të gjithë ne që jetojmë në hapësirën e Kosovës. Nuk na mbetet gjë tjetër pos të shpresojmë se do të gjejmë disa përgjigje, qoftë edhe të pjesërishme në këtë vit që është para nesh.

0
831

Kaloi gati se një muaj që nga fillimi i vitit të ri. Shumë vetë thonë se kjo është koha e përmbledhjes së përshtypjeve nga 12 muajt e kaluar, kohë për vendime të reja, plane dhe objektiva. Një reflektim i njëjtë do të mund të bëhej edhe për procesin politik dhe jetësor në Kosovë. Mbase fillimi i vitit të ri është pikërisht koha për të përmbledhur çka ndodhi e çka nuk ndodhi gjatë vitit 2019 dhe ndoshta të parashikojmë se çka na pret më 2020.

Para së gjithash, kur të shikojmë me kujdes nivelin e lartë politik, përveç grindjeve të ndryshme politike në nivel të përditshëm, mund të thuhet se asgjë e rëndësishme nuk ndryshoi. Marrëveshja e Brukselit duket si një tematikë kaherë e humbur midis Kosovës e Serbisë. Nga momenti i ndërprerjes së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ndodhi më 2018, e deri më sot nuk ka pasur ndryshime domethënëse e as takime midis delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës. Pritjet se diçka do të ndryshonte u rritën me përbërjen e re të institucioneve evropiane që pasoi zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj të vitit të kaluar. Mirëpo, pas ca muajsh tranzicioni dhe zgjedhjes së fytyrave të reja në krye të BE-së, për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës thjesht nuk pati kohë. Marrëveshja e Brukselit qartazi mbetet njëra nga pyetjet më të mëdha pa përgjigje nga viti që po e lëmë pas. 

Nëse e shikojmë situatën me kujdes edhe më tutje, çështja e e vrasjes së Oliver Ivanović-it mbeti edhe më tutje nën shenjën e madhe të pikëpyetjes. Pikërisht tani, kur kanë kaluar dy vite nga vrasja e liderit të PSD-së, hetimi, përkundër disa përpjekjeve, ende nuk ka shkuar shumë larg e të mos flasim për gjetjen e fajtorëve. Edhe kjo pyetje shkaktoi polemika të mëdha në relacionin Beograd – Prishtinë, por, për fat të keq, mbeti pa përgjigje pas kaq shumë kohësh. 

Duke folur për fajtorë dhe arrestime, një tjetër arrestim i madh ende mbeti nën hijen e zgjatjes së paraburgimit pa aktakuza konkrete. Natyrisht, po flas për arrestimin e pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës, të cilët dyshohen për krim të organizuar, kontrabandë të mallrave, marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Edhe pse arrestimi ndodhi në maj të vitit 2019, aktakuza ende zyrtarisht nuk është ngritur dhe ende jemi në pritje të një përgjigjeje se çfarë do të ndodhë me 19 policët e arrestuar.

Përveç të gjitha këtyre, vitin e kaluar Ramush Haradinaj u thirr në një seancë dëgjimore në Hagë nga Gjykata Speciale për Krimet në Kosovë. Kjo ishte arsyeja që Haradinaj dha dorëheqjen nga pozita e Kryeministrit të Kosovës, që automatikisht nënkuptoi një cikël të ri zgjedhor në Kosovë. Pas zgjedhjeve të tetorit, Kosova i dha më së shumti vota Albin Kurtit. Megjithëse duket se të gjitha këto ngjarje nga korriku dhe tetori ishin shumë moti, ende nuk kemi përgjigje për atë çfarë ndodhi në seancën dëgjimore në Hagë, më saktësisht, cili është rezultati, por nuk kemi as një qeveri të re të Kosovës. Ndërsa negociatat ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së janë kaherë duke u zhvilluar, nuk dihet ende se si do të duket Qeveria dhe nëse ajo në përbërje të vet do të ketë përfaqësuesë të Listës Serbe. Dhe në fund, a do të sjellë viti 2020 një zgjidhje përfundimtare apo së shpejti do të kemi zgjedhje të reja për Parlamentin e Kosovës?

Në fund, kur i përmbledhim të gjitha dhe përpiqemi të paraqesim përshtypjen e përgjithshme për vitin 2019, nuk ka shumë për të thënë. Ky vit solli shumë ngjarje që mbetën të pashpjeguara, aq sa vështirë që mund të gjitha edhe të numërohen. Kanë mbetur shumë pyetje pa përgjigje, të pazgjidhura dhe të pashpjeguara. Ky vit mbeti një pikëpyetje për të gjithë ne që jetojmë në hapësirën e Kosovës. Nuk na mbetet gjë tjetër pos të shpresojmë se do të gjejmë disa përgjigje, qoftë edhe të pjesërishme në këtë vit që është para nesh.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.