T’i mbrojmë gjeneratat e reja nga nacionalizmi agresiv

Këngë serbe e shqiptare, të ashtuquajtura ‘patriotike’, slogane tifozësh nga të dyja palët, janë të mbushura me nacionalizëm agresiv dhe thirrje raciste e fashiste. 

0
230

Gjatë Kampionatit Botëror 2022, thirrjet fashiste të tifozëve serbë, si “Ubi, zakolji, da šiptar ne postoji!” (“Vriti, masakroi, derisa shqiptar më të mos ekzistojë!”) u dëgjuan gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër në Katar, kur Serbia po humbiste nga përfaqësuesja e Zvicrës në përbërjen e së cilës janë edhe disa lojtarë shqiptarë nga Kosova. 

Këto thirrje u ndëgjuan edhe në rrugët e Vjenës në Austri, një natë më vonë. Thirrje të tilla nuk do të duhej të përbënin vetëm shkelje të rregullave të FIFA-s por do të duhej të sanksionoheshin e ndëshkoheshin edhe në Serbi nga mekanizma që luftojnë gjuhën e urrejtjes. 

Edhe pas thirrjes nga Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, me seli në Beograd, drejtuar përfaqësueses së Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) që të dalë me një raport për incidentet në Katar, FFS as që u sqaruan apo kërkuan falje kur u kthyen në Serbi. 

Pas këtyre incidenteve që ndodhën në Katar e Vjenë, unë hyra në internet të shikoj këngë serbe e shqiptare, të ashtuquajtura ‘patriotike’, slogane tifozësh që nga të dyja palët janë të mbushura me nacionalizëm agresiv dhe thirrje raciste e fashiste.

Tifozët shqiptarë kur thërrasin “Shqipëri etnike!” duhet t’a kenë të qartë se nuk është patriotike, dhe se as nuk ka pasë ndonjëherë, as nuk ka tani, e as do të ketë në të ardhmen një “Shqipëri etnike!”, sikurse, as ka pasë ndonjëherë, as nuk ka, dhe as do ketë ndonjëherë Serbi etnike – është thjesht një budallallëk. Një budallallëk të cilin e dëgjojnë gjeneratat e reja të cilët s’e kanë pas ende rastin të mësojnë për ngjarje historike siç duhet. 

Një “Shqipëri etnike” nënkupton spastrim etnik të etnive tjera, e spastrimi etnik është krim i rëndë lufte, krim i cili është kryer shumë herë ndaj neve shqiptarëve përgjatë historisë, dhe sot sërish jemi shtete fqinje me etni tjera përbrenda, e Kosova madje është shtet multietnik. 

Edhe grupet e tifozëve, edhe rap këngëtarët e ata folklorik hyjnë në kategorinë e njerëzve me influencë, që do të thotë kanë një numër të konsiderueshëm ndjekësish, dhe si të tillë kualifikohen për mbikëqyrje dhe ndëshkim nga ana e mekanizmave shtetëror për luftim të gjuhës së urrejtjes. 

Po ashtu, tekstshkruesit edhe interpretuesit e këtyre teksteve dhe sloganeve me përmbajtje të nacionalizmit agresiv dhe thirrjeve raciste duhet t’u nënshtrohen rregullave kundër përdorimit të gjuhës së urrejtjes, rregulla të cilat mekanizmat për luftimin e gjuhës së urrejtjes i kanë.

Ndonëse gjuha e urrejtjes është një fenomen me të cilin ballafaqohen edhe shumë vende tjera, dhe nuk është karakteristikë vetëm e Kosovës dhe fqinjit tonë verior, Serbisë, ajo çfarë dallon Kosovën dhe Serbinë janë mekanizmat me të cilët e luftojnë gjuhën e urrejtjes dhe sa po e kryejnë punën e tyre këto mekanizma.  


Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.