VERIU – MIDIS GALAKSIVE

0
1060

Përshëndetje të gjithëve. Unë jam një student nga veriu i Kosovës. Po, kjo është ajo pjesa shumë e njohur e territorit, në të cilën rrallëkush ka shkelur nga të gjithë ata njerëz të shumtë që lavdërohen se si ai territor është i tyre. Po, në qoftë se nuk e njihni situatën, e besoj që nuk e njihni, kjo është një pjesë e territorit për të cilin kanë pretendime edhe Kosova edhe Serbia. Po, edhe Kosova është po ashtu territor i kontestuar, bile sa i përket njërës prej këtyre palëve. Por, do të ndalemi në këtë pjesëz të vogël të territorit që në popull njihet si veriu i Kosovës, ai veriu “i tmerrshëm” dhe “famëkeq” i Kosovës!

Po them që besoj se nuk e njihni situatën, sepse besoj që pak prej jush me të vërtetë keni qenë këtu dhe pak prej jush me të vërtetë e njihni thelbin e problemeve me të cilat ballafaqohet çdo ditë popullata që jeton këtu. Natyrisht, në qoftë se nuk i marrim parasysh ato lojërat e mëdha politike dhe politikanizmat që i dëgjojmë çdo ditë nëpër media. Thelbi i problemit të njerëzve në veri nuk është se i kujt është ai territor dhe se a do të jetë aty njëri apo tjetri flamur (edhepse edhe kjo shumë shpesh paraqitet si një problem i madh i cili mund të shkaktojë pasoja serioze), porse KUSH ËSHTË KOMPETENT për punën e të gjitha shërbimeve nga të cilat varet jeta e njerëzve?! Do të jap edhe një shembull për të cilin thjesht nuk kam mundur të besoj se me të vërtetë një gjë e tillë po ndodh. Spitali në Mitrovicën e Kosovës është i vetmi spital në veri të Kosovës dhe në të kurohen jo vetëm të gjithë njerëzit që jetojnë aty, por edhe shumica e serbëve që jetojnë në enklavat në jug të lumit Ibër. Ndodhi situata kur spitali gati se 20 ditë mbeti pa ilaçe dhe mjete të tjera mjekësore, për shkak që ajo dërgesë ishte ndaluar në vendkalimin midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk është fare me rëndësi se përse ndodhi kjo dhe kush është fajtor për këtë! Fajtorë janë TË GJITHË! Paj cili njeri normal do të lejonte që një gjë e tillë të ndodhë dhe që pacientët të pësojnë, pa marrë parasysh se çfarë flamuri ka para shtëpisë apo në cilin tempull lutet. Shembuj të tillë janë të panumërt, do të theksoj vetëm edhe disa prej tyre. Siç edhe e thashë më parë, unë jam student. Studioj në Mitrovicën e Kosovës. Universiteti në të cilin studioj është bartur nga Prishtina gjatë ngjarjeve të luftës e është themeluar nga ana e Republikës së Serbisë dhe ende punon sipas programit të Republikës së Serbisë. Unë, si shumë studentë tjerë që jetojnë dhe studiojnë në Kosovë, e kemi një hamendje të madhe. A do të mund të punoj me diplomën time në profesionin tim në qytetin ku kam lindur?! Përgjigjja është – sipas të gjitha gjasave jo! Paradoksale, apo jo?! E di, po të mos ishte qesharake do të ishte e trishtueshme!

Edhe një shembull dhe mendoj që mjafton për fillim, si hyrje për situatën në veri, e më hollësisht mund të merremi me këto tema në bllogjet në vazhdim.

Policia dhe gjyqësia. Policia vetëm para pak kohe ka filluar me të vërtetë të kryejë punën e saj, por çka vlen kjo për njerëzit në veri kur nuk ekziston gjykata në të cilën kanë qasje të gjithë njerëzit që jetojnë këtu? Gjykata që është kompetente për veriun e Kosovës është gjykata në Vushtrri e që cilido banor i veriut të Kosovës të vijë deri tek ajo ballafaqohet me pengesa të shumta. Duke filluar nga transporti, dokumentet, më vonë edhe nga struktura e vetë gjykatës, por edhe mosefikasiteti i madh dhe numri tejet i lartë i lëndëve të pazgjidhura që frenon çfarëdo funksionimi normal. Kështu që edhe për vendimet më të thjeshta gjyqësore duhet të pritet me vite. Kurse gjykata që ekziston në Mitrovicën e Kosovës dhe në vende të tjera në veri nuk funksionon sepse është „serbe“, çkado që do të thotë kjo, kurse për njerëzit të cilëve iu duhet nuk do të thotë asgjë!
Dhe kujt pastaj i intereson se i kujt është ky territor?! Si duket nuk është i askujt sado që të gjithë po e përvetësojnë si të tyrin!
Shpresoj që në këtë tekst të shkurtër ia kam dalë t”ju interesoj bile pak për problemet e njerëzve në veri dhe për situatën në të cilën gjenden ata. Natyrisht, kjo nuk është as pjesa më e vogël e asaj se çka duhet të thuhet për këtë pjesëz të territorit dhe për këtë arsye ju premtoj vazhdimin në ndonjë nga bllogjet e ardhshme.

Deri në takimin e ardhshëm,
Branko Milutinović